Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani"
Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” është institucion publik i arsimit të lartë, krijuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 414, dt.12.11.1991. Universiteti i Elbasanit është vazhdues i Institutit të Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” (ILP) themeluar më 1971, i cili u përvijua si vazhdues i drejtpërdrejtë i Shkollës Normale të Elbasanit (i pari institucion kombëtar i përgatitjes së mësuesve në Shqipëri, themeluar më 1909).
Ky institucion është person juridik publik, që financohet nga Buxheti i Shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme, organizohet dhe funksionon në përputhje me Ligjin Nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, aktet nënligjore dhe legjislacionin në fuqi.Selia ligjore e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” është rektorati me adresë: Rruga “Ismail Zyma” Elbasan.