Historiku i fakultetit
Fakulteti i Shkencave të Natyrës (FSHN) si njësi kryesore e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit është formuar në vitin 1992. Degët (sot Programet e studimit) Matematikë-Fizikë dhe Biologji-Kimi janë hapur në vitet 1969-1970, me sisteme të ndryshme studimi (me dhe pa shkëputje nga puna; sistem 3-vjeçar studimi dhe më vonë pas viteve 1980 u hap sistemi 4-vjeçar).
Në vitin 1982 u hap dega 4 vjeçare ditën. Në vitin 1992 u inkuadruan në Fakultetin e Shkencave të Natyrës degët Matematikë-Fizikë dhe Biologji-Kimi.
Këshilli i Akreditimit, mbështetur në Raportin e Vetëvlerësimit dhe Vlerësimit të Jashtëm, në vitin 2006, në rekomandimin e vet jep Akreditimin Institucional të Fakultetit të Shkencave të Natyrës.
Në vitin 2009 u hap programi i studimit bachelor në “Teknologjitë e Informacionit”.
Në vitin 2011 u hap programi i studimit bachelor në “Fizikë Kompjuterike”.
Në vitin 2011 u hap programi i studimit dyvjeçar në “Teknolog Laborant”.
Në vitin 2013 u hap programi i studimit bachelor në “Matematikë-Informatikë”.
Në vitin 2009 u hap programi i studimit Master i Shkencave në “Matematikë e Zbatuar”.
Në vitin 2009 u hap programi i studimit Master i Shkencave në “Mbrojtje Mjedisi”
Në vitin 2012 u hap programi i studimit Master professional në “Teknologjitë e Informacionit”
Në vitin 2012 është miratuar programi i studimit Master professional në “Analist Prodhimi”
Në vitin 2002 filloi studimi në sistemin me kohë të pjesshme.
Departamentet e Matematikës dhe të Fizikës funksionojnë prej 43 vjetësh dhe kanë përgatitur gjenerata të tëra mësuesish të matematikës dhe fizikës për shumicën e qarqeve të Shqipërisë. Vetëm në qarkun e Elbasanit studentët e dalë nga dega Matematikë-Fizikë e Elbasanit mbulojnë thuajse 95% të mësimit të matematikës e të fizikës dhe mjaft drejtues të shkollave. Ky reputacion shndërrohet në një detyrim të madh për të mbajtur lart emrin e mirë dhe pozitat e fituara në tregun arsimor tani të hapur.
Dega Biologji-Kimi ka përgatitur për dekada mësues biologjie e kimie të një niveli të lartë. Kjo është bërë e mundur edhe nga aktivizimi i pedagogëve shumë të përgatitur me grada e tituj shkencorë, si të brendshëm edhe të jashtëm. Bashkëpunimi shumë i mirë me Fakultetin e Shkencave të Natyrës të UT, ka dhënë kontribut shumë të rëndësishëm në konsolidimin e Degës Biologji-Kimi.
Misioni i Fakultetit të Shkencave të Natyrës sot është zhvillimi i tij në mënyrë që te jetë në lartësinë e duhur me nevojat e kërkesat e tregut të punës.
Si fakultet synojmë arritjen e rezultateve reale dhe të vlefshme në fusha të ndryshme të veprimtarisë njerëzore, që u përgjigjen edhe programeve të ndryshme në të cilat mund të studiohet në këtë Fakultet. Vitet e fundit është bërë një punë shumë e madhe në hapjen e studimeve në Master Profesional dhe ne master të shkencave. Si objektiv ky fakultet ka hapjen e shkollës së doktoraturës në Mbrojtje Mjedisi, e cila do të plotësonte të tre nivelet e studimit universitar.
Objektivi ynë është që të formojmë individë të aftë në mësimdhënien e lëndëve të matematikës, fizikës, biologjisë, kimisë dhe informatikës. Fakulteti ynë synon që të formojë specialistë të pajisur me njohuritë e duhura dhe me arritjet e fundit në fushën e shkencave për tregun e punës dhe në studimet e mëtejshme në institucione që ata do ta gjykojnë më të arsyeshme, brenda dhe jashtë vendit.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës është Prof. Dr. Sotir MALI. Ai është diplomuar në Universitetin e Elbasanit, Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Aktualisht është personel akademik, biolog, pranë Departamentit të Biologjisë.
Zëvendësdekanet e Fakultetit të Shkencave të Natyrës:
Dr. Elvin RADA është diplomuar në Universitetin e Elbasanit, Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Aktualisht është personel akademik, matematicien, pranë Departamentit të Matematikës.
Dr. Luan KOLA është diplomuar në Universitetin e Tiranes, Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Aktualisht është personel akademik, fizikan, pranë Departamentit të Fizikës.
Përgjegjës i Departamentit të Matematikës është Prof. As. Dr. Bederiana SHYTI.
Përgjegjës i Departamentit të Fizikës është Dr. Blerina PAPAJANI.
Përgjegjës i Departamentit të Biologjisë është Prof. as. Dr. Blerina PUPULEKU.
Përgjegjës i Departamentit të Kimisë është Dr. Belinda HOXHA.
Përgjegjës i Departamentit të Informatikës është Dr.-Ing. Elior VILA.
Personeli akademik i Fakultetit përbëhet një staf i kualifikuar me grada dhe tituj (rreth 70%), ku përmendim 4 profesorë, 15 profesorë të asociuar, 10 doktorë shkencash e docentë, pjesa tjetër doktorante ose Master i Shkencave dhe në vijim të mëtejshëm kualifikimi. Stafi mësimdhënës i brendshëm mbulon pjesën më të madhe të mësimdhënies në programet e Fakultetit tonë.
Pedagogët e ftuar pranë Departamenteve tona janë pothuajse të gjithë profesorë dhe japin kryesisht lëndë në ciklin e dytë.
Stafi akademik i Fakultetit tonë në misionin e mësimdhënies shoqërohet nga një staf mbështetës në lartësinë e detyrave të kërkuara.
Administrata e Fakultetit të Shkencave të Natyrës është e përbërë nga sekretaria mësimore e Fakultetit dhe sekretaria e Dekanatit.