Veprimtari

Universiteti i Elbasanit Aleksandër Xhuvani , Fakulteti i shkencave humane ,  Historiku i fakultetit ,Uniel


Historiku i fakultetit

Shiko me shume
Universiteti i Elbasanit Aleksandër Xhuvani , Fakulteti i shkencave humane ,  Njësitë përbërëse ,Uniel


Njësitë përbërëse

Shiko me shume
Universiteti i Elbasanit Aleksandër Xhuvani , Fakulteti i shkencave humane ,  Programet e studimit ,Uniel


Programet e studimit

Shiko me shume
Universiteti i Elbasanit Aleksandër Xhuvani , Fakulteti i shkencave humane ,  Njoftime ,Uniel

Njoftime

Shiko me shume
Universiteti i Elbasanit Aleksandër Xhuvani , Fakulteti i shkencave humane ,  Veprimtari ,Uniel


Veprimtari

Shiko me shume

Konferencë e departamentit të Gjuhës në Universitetin e Elbasanit mbi veprimtarinë e Prof.Dr Remzi Përnaska

Remzi Përnaska, personalitet i gjuhësisë shqiptare, ishte titulli i konferencës që Departamenti i Gjuhës, pranë Fakultetit të Shkencave Humane në UE zhvilloi në sallën kryesore të Bibliotekës Universitare. Duke hapër këtë konferëncë, në prani të studiuesve më të shquar të gjuhësisë shqiptare dhe personaliteteve të shkencave filologjike në vend, Rektori i Universitetit të Elbasanit, duke iu drejtuar personalisht Prof.Dr. Remzi Përnaskës e ka falenderuar atë për kontributin e dhënë në ndihmë të shkencave gjuhësore shqipe, si dhe në ndihmë të Universitetit të Elbasanit. Prof.Dr Liman Varoshi ka theksuar se Remzi Përnaska një personalitet që jetën e ka çuar përmes Parisit dhe Shqipërisë ka një kontribut të posaçëm në gjuhësinë shqipe dhe një prodhimtari studimore që sa vjen e bëhet më e çmuar. Edhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof.Dr. Roland Gjini ka vlerësuar Profesor Remzi Përnaskën për ndihmën që i ka dhënë fakultetit që drejton në të gjitha drejtimet, duke përfshirë edhe kontributin personal në literaturë të dhuruar, për ta bërë më cilësore mësimdhënien e gjuhës shqipe në këtë fakultet. Shefi i Departamentit të Gjuhës Prof.As.Dr Albert Riska në cilësinë e organizatorit të kësaj Konference ka theksuar se të organizosh një konferencë për Remzi Përnaskën është kënaqësi, pasi kemi të bëjmë me një personalitet të vërtetë në fushën e gjuhësisë.

Konferenca më pas ka vazhduar me seancat plenare ku janë prezantuar 20 referate dhe studime shkencore në lidhje me veprimtarinë dhe punën e Prof. Dr Remzi Përnaskës.

Për aktivitetin shkencor e pedagogjik të prof.dr. Remzi Përnaska

I lindur në Korçë më 20 dhjetor 1934, shkollën fillore, shtatëvjeçare dhe të mesme i kreu në vendlindje, kurse studimet e para të larta për gjuhë dhe letërsi ruse në Institutin e Lartë Pedagogjik Dyvjeçar të Tiranës, më 1956. Pas mbarimit të studimeve të larta për gjuhë ruse më 1956 ka punuar si mësues i gjuhës shqipe dhe ruse në Cërrik të Elbasanit deri në vitin 1960. Vazhdoi me korrespondencë Institutin e Lartë Pedagogjik katërvjeçar, po për gjuhë dhe letërsi ruse, por, meqë u dërgua për të mësuar turqishten në Institutin e Gjuhëve të Lindjes në Moskë, nuk mundi të marrë diplomën përkatëse. Pas kthimit nga Moska, më 1961, vazhdoi studimet e larta në degën e gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, të cilat i kreu më 1963. Për rezultate të shkëlqyera në studimet e larta, e mbajtën pedagog të sintaksës së gjuhës shqipe në katedrën e gjuhës shqipe të këtij fakulteti, ku punoi si pedagog i sintaksës së gjuhës shqipe, prej vitit 1963 deri në vitin 1974.

Në vitin 1974 u dërgua si lektor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore në Paris, ku punoi deri në vitin 1982. Gjatë kësaj kohe u regjistrua në kurse të ndryshme për gjuhësi të përgjithshme dhe teorike. Ndoqi kurset e gjuhëtarit të madh francez Andre Martinet (i cili në librin e vet “Memoires d’un linguiste, vivre les langues”, Paris, 1993, faqe 201 flet shprehimisht për të), si edhe të gjuhëtarit tjetër të shquar francez Antoine Culioli, nën udhëheqjen shkencore të të cilit përgatiti një tezë për gradën më të lartë shkencore që ka Franca: "Doktor Shteti". Nuk e mbrojti dot se Ministria e Arsimit e Shqipërisë e detyroi të kthehet në atdhe një javë para mbrojtjes, më 1982.

Që nga viti 1975 është anëtar i Qendrës së Studimeve Ballkanike të Parisit dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Gjuhësisë Funksionale, kurse nga viti 1976 është anëtar i Shoqatës së Gjuhëtarëve të Parisit dhe nga viti 1994 edhe i Shoqatës së Gjuhëtarëve të Francës (shih "Annuaire des Linguistes de France” 1995-1996, faqe 57), që nga themelimi edhe i Rrethit të Gjuhëtarëve të Institutit Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Lindore (viti 1997). Në vitin 1980 iu propozua nga Shoqata e Jo Aristotelianëve të ShBA-së të bëhet anëtar i saj, por nuk iu dha leja përkatëse nga autoritetet shqiptare të asaj kohe. Pas kthimit në atdhe, u emërua punonjës shkencor në Sektorin e Gramatikës dhe të Dialektologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku punoi deri në vitin 1991. Gjatë kësaj kohe ka botuar artikuj shkencorë në revistat shqiptare "Studime filologjike", "Studia albanica", etj., si edhe në revista të huaja të specializuara në gjuhësi, si "Cahiers balcaniques", "Faits de langue", "Travaux du cercle des linguistes de l'INALCO", "Presses Universitaires de France", etj.

Është autor i dy krerëve (kundrina, rrethanori) dhe ka ndihmuar për redaktimin e pjesës së sintaksës së fjalisë të vëllimit të tretë të “Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme letrare shqipe”, botuar nga Akademia e Shkencave. Ka qenë anëtar i redaksisë së revistës "Studime filologjike" dhe i vëllimit të dytë të veprës së A. Xhuvanit, anëtar i Këshillit shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga viti 1983 deri në vitin 1991; ka qenë delegat në Kongresin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe më 1972, ku ka diskutuar dhe mbajtur një kumtesë. Ka marrë pjesë në kongrese dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare për gjuhësi; ka mbajtur ligjërata për gjuhën shqipe si në Athinë, Paris, Këln, Puatje, Marsejë, Nantë, Mynih, etj. Ka hartuar disa zëra për Fjalorin enciklopedik shqiptar. Nga tetori i vitit 1991 deri në shtator 1997 ka punuar sërish si lektor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve të Lindjes në Paris. Ka botuar artikuj në revista të specializuara franceze dhe ndërkombëtare.

Ka mbrojtur një disertacion me temën "Kundranori me parafjalë në gjuhën shqipe" dhe ka fituar gradën "Doktor i shkencave" në Shqipëri. Ka botuar në Pejë librin "Kundranori me parafjalë në gjuhën shqipe". Ka mbrojtur një disertacion për doktor shteti me temën "Sintaksa e thënies në gjuhën e sotme shqipe (Sintaksa e trajtave të shkurtëra të përemrave vetorë)" dhe ka fituar gradën më të lartë shkencore që ka Franca: "Doctor d'Etat des lettres et sciences humaines", si edhe të drejtën për të udhëhequr punime doktoratash në Shqipëri dhe në Francë, për të qenë anëtar jurish për mbrojtje doktoratash. Kjo doktoratë i dha edhe titullin "Profesor" në Francë. Ky disertacion u botua në frëngjisht nga Presses Universitaires du Septentrion, Lille 1997, 672 faqe (shih Catalogue des theses disponibles, Septentrion Presses universitaires, Mars 1998, f. 21).

Bashkëpunimi i prof.dr. Remzi Përnaskës me Universitetin e Elbasanit është i shumanshëm: ai është këshilltari dhe nxitësi shkencor i një sërë veprimtarish shkencore të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar të organizuara në UE “A.Xhuvani”; është hartues dhe bashkëhartues i politikave të kërkimit në shkencor në nivel fakulteti dhe departamenti (në departamentin e gjuhësisë); është lektor i disiplinave të reja dhe bashkëkohore në ciklin e dytë të studimeve, në programin e studimit “Master i shkencave në gjuhësi”, si “Gjuhësi teorike”, “Morfologji teorike” etj.; është pjesëtar si këshilltar i grupit të punës për përgatitjen e dosjes së aplikimit për ciklin e tretë të studimeve në UE “Doktoratë në albanologji”, veçanërisht në profilin gjuhësi etj.

Për më tepër, prof.dr. Remzi Përnaska është mbështetës i palodhur i kërkuesve të rinj të departamentit të gjuhësisë së UE “A.Xhuvani”, duke siguruar për ta literaturë bashkëkohore, këshillim literature dhe kërkimi shkencor, nxitës i kualifikimit të tyre shkencor, drejtues dhe krijues i lidhjeve shkencore me universitete me profile të ngjashme në Francë, dhe, së fundi, pasurues i bibliotekës shkencore, që nga bibliotekat vetjake të kërkuesve të rinj e jo vetëm të departamentit, deri të fondet e Bibliotekës Universitare të UE “A.Xhuvani”. Për këtë, në shenjë vlerësimi real dhe mirënjohjeje ndaj kësaj figure të rëndësishme të shkencës shqiptare Universiteti i Elbasanit e ka nderuar prof.dr. Remzi Përnaskën me titullin “Honoris causa”.

Konferencë e departamentit të Gjuhës në Universitetin e Elbasanit mbi veprimtarinë e Prof.Dr Remzi Përnaska Konferencë e departamentit të Gjuhës në Universitetin e Elbasanit mbi veprimtarinë e Prof.Dr Remzi Përnaska Konferencë e departamentit të Gjuhës në Universitetin e Elbasanit mbi veprimtarinë e Prof.Dr Remzi Përnaska Konferencë e departamentit të Gjuhës në Universitetin e Elbasanit mbi veprimtarinë e Prof.Dr Remzi Përnaska Konferencë e departamentit të Gjuhës në Universitetin e Elbasanit mbi veprimtarinë e Prof.Dr Remzi Përnaska