| Fakulteti i Shkencave Sociale |
|
Në Universitetin Aleksandër Xhuvani nga viti akademik 2004 - 2005 funksionon Fakulteti i Shkencave Sociale me pesë degë të shkencave sociale: Punonjës social, Gazetari, Edukim Qytetar, Psikologji dhe Filozofi-Sociologji
Hapja e Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Elbasanit (UE) është përvijim i zbatimit të Reformës Arsimore Universitare dhe është ideuar e mbështetur në parimet e Deklaratës së Bolonjës dhe të një profesorati me përvojë në UE.
Diplomat e akredituara që ofron ky Fakultet, sipas kritereve të përcaktuara nga Agjensia e Akreditimit të Arsimit të Lartë (AAAL), mbështetur në profesoratin që zhvillon veprimtarinë mësimore e kërkimore në interes të degëve të shkencave sociale të UE do të jenë:
1. Bachelor - diplome e nivelit universitar
2. Master - diplomë e nivelit pasuniversitar
3. Doktoraturë
Garanci për dhënien e këtyre 3 tipeve të diplomave është kualifikimi i trupës mësimore kërkimore, ku aktualisht zhvillojnë punën mësimore-kërkimore në këto degë të shkencave sociale një trupë prej 4 Profesorë, 8 Profesorë të Asocuar, 4 Doktorë, 4 kandidatë që përgatinen të mbrojnë së shpejti doktoraturën dhe 5 asistentë pedagogë që vazhdojnë nivelin e shkollimin pasuniversitar Master.
Garanci për dhënine e 3 tipeve të diplomave të akredituara (Bachelor, Master, Doktor) është edhe pjesmarrja e sigurtë dhe kontraktuale e 10 pedagogëve titullarë të Universitetit të Tiranës (me titujt shkencore: Profesorë dhe Profesorë të asocuar) që do të zhvillojnë cikle leksionesh të veçanta të planifikuara nga Departamentet dhe Dekanati i këtij Fakulteti.
Nga analiza e shqyrtimi analitik i dokumentacionit mësimor, të planeve e të programeve lëndore të degëve të shkencave sociale të Universitetit të Elbasanit, të krahasuara me planet e programet e Universitetit të Tiranës dhe të disa universiteteve italiane e evropiane rezulton se: Planet mësimore të degëve të shkencave sociale të Universitetit të Elbasanit janë në masën sa 75 % e planeve të këtyre degëve në Universitetin e Tiranës dhe sa 94-97 % të planeve të studimit të nivelit Bachelor të universiteteve italiane e evropiane.
|