Universitetet Shqipfolese

PËRKUJTESË PËR BASHKËPUNIM MIDIS UNIVERSITETEVE PUBLIKE SHQIPTARE

 
PDF Print E-mail
Written by Universiteti i Elbasanit   
Tuesday, 09 February 2010
Drejtuesit e universiteteve publike shqiptare, të mbledhur në Strugë më 22-23 Janar 2010, në një tubim të posaçëm të organizuar me nismën e Prof. Dr. Mujë Rugova, Rektori i Universitetit të Prishtinës, dolën me këtë PËRKUJTESË për bashkëpunim shumëplanësh të universiteteve publike shqiptare të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Duke u nisur nga fakti që integrimi brendashqiptar (në radhë të parë arsimor dhe kulturor) është hapi i parë drejt integrimit rajonal dhe evropian, me qëllim që bashkëpunimi ndëruniversitar të zgjerohet më tej, në kuadrin e reformës së madhe arsimore për të arritur standardet që përmban Deklarata e Bolonjës, drejtuesit e universiteteve publike shqiptare, pas diskutimeve të frytshme që u zhvilluan për dy ditë me radhë në këtë tubim, vendosen që të ndërmerren hapa konkret për të ngritur në një nivel më të lartë bashkëpunimin ndëruniversitar.
I. Plani i veprimit për të përmbushur këto qëllime afatshkurtra dhe afatgjate, të përfshijë disa drejtime:
a. Përqasjen dhe përafrimin e programeve të njëjta të studimit për të lehtësuar lëvizjen e lirë të studentëve, si dhe transferimin e krediteve (ECTS), duke ruajtur pavarësinë universitare dhe lirinë akademike si dhe fleksibilitetin e programeve të studimit. Këto do të arrihen me anë të marrëveshjeve dypalëshe ose shumëpalëshe për ekuivalentimin e studimeve të ciklit të parë;
b. Hapjen e programeve të përbashkëta të studimit, sidomos për ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve;
c. Rritjen dhe zgjerimin e bashkëpunimit përmes projekteve të ndryshme hulumtuese në kuadrin e programeve të BE-së (TEMPUS, ERASMUS, FP7, etj.), si dhe organizimim e veprimtarive të përbashkëta me karakter kërkimor dhe shkencor;
ç. Shkëmbimin e stafit akademik për realizimin e disiplinave mësimore sipas kërkesave të universiteteve publike shqiptare mbi bazën e marrëveshjeve dhe kontratave dypalëshe dhe shumëpalëshe;
d. Bashkërendimin e punës për hartimin e teksteve të përbashkëta në shkencat me karakter kombëtar, si dhe për të përzgjedhur e përkthyer tekstet themelore më të arritura të universiteteve botërore në të gjitha fushat e shkencës.
dh. Përfshirjen e gjuhës Shqipe në të gjitha programet e studimit dhe fakultetet e universiteteve publike shqiptare, në formën e kurseve për kulturën gjuhësore, me qëllim

që të rritet kujdesi dhe aftësimi praktik i studentëve për ta folur dhe për ta shkruar drejt gjuhën tonë amtare;
e. Hartimin e një programi për projekte të përbashkëta artistike në muzikë, arte figurative dhe dramë, midis Akademisë së Arteve të Tiranës, Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit Shtetëror të Tetovës.
II. Tubimi i Strugës vendosi: a. gjatë këtij viti akademik të ngrihen grupe të ekspertëve në nivel fakultetesh, departamentesh dhe programesh studimi për të konkretizuar mundësitë e përafrimit të programeve ekzistuese si dhe për të përgatitur propozimet e duhura për hapjen e programeve të përbashkëta të studimit duke u mbështetur në përvojat e universiteteve evropjane; b. Grupet e ekspertëve të ngrihen dhe të funksionojnë në këto drejtime; 1. për çështjet ligjore institucionale të universiteteve publike shqiptare me qëllim që të lehtësohen procedurat për lëvizjen e studentëve brenda programeve të njëjta të studimit; 2. për shkencat shoqërore; 3. për shkencat natyrore dhe teknike; 4. për shkencat ekonomike dhe juridike; 5. për shkencat mjekësore; 6. për artet. c. Grupet e ekspertëve të ngrihen dhe të realizojnë detyrat e përcaktuara brenda periudhës Mars-Maj 2010. ç. Në fillim të vitit akademik 2010/2011 tubimi i dytë i drejtuesve të universiteteve publike shqiptare (Tetor, 2010) të marrë në shqyrtim raportet e grupeve të ekspertëve dhe per të marrë vendimet e duhura; III. Në përfundim:
a. për të lehtësuar zbatimin e këtij plan-veprimi, të krijohet një link i veçantë brenda faqeve ekzistuese të internetit gjatë muajit Shkurt 2010;
b. për të jetësuar konkretizimin e detyrave të kësaj PËRKUJTESE deri në tubimin e dytë (30 Maj, 2010), u vendos që të ngrihet një këshill koordinues me pjesmarrjen e rektorëve të të gjithë universiteteve publike shqiptare nën kryesinë e Prof. Dr. Mujë Rugova.

Emrat e drejtuesve të universiteteve publike shqiptare
1. Dhori Kule-Univ. Tiranë
2. Mujë Rugova-Univ. Prishtinë
3. Jorgo Kaçani-Univ. Politeknik Tiranë
4. Gjergji Mero-Univ. Korçë
5. Agron Reka-Univ. Tetovë
6. Petrit Malaj-Akademia e Arteve Tiranë
7. Liman Varoshi-Univ. Elbasan
8. Gëzim Sala-Univ. Gjirokastër
9. Artan Haxhi-Univ. Shkodrës
10. Agim Kukeli-Univ. Durrës
11. Tanush Shaska-Univ. Vlorë
12. Fatos Harizaj-Univ. Bujqësor Tiranë
Përgatitur nga: Prof. Ali Jashari, Universiteti i Korçës Prof. Ismail Ahmedi, USHT Prof. Osman Gashi, UP Shefik Shehu, USHT Strugë, 23 Janar 2010


Last Updated ( Tuesday, 09 February 2010 )