QSAB "Aleks Buda"

Me hapjen e ciklit III të studimeve doktorale “Doktoratë në albanologji” me dy profile: histori e gjuhësi, në Fakultetin e Shkencave Humane u nxit krijimi i një qendre kërkimore si njësi e përbashkët e kërkimit shkencor, e cila do t’i bashkëngjitej, duke i ardhur edhe në ndihmë shkollës doktorale. Më 03.03.2011 Këshilli i Fakultetit të Shkencave Humane vendosi krijimin e Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Ballkanologjike (QSAB) "Aleks Buda", pranë këtij fakulteti. Më 15.11.2013, në Vendimin Nr 5, Këshilli Administrativ miratoi hapjen e qendrës. 

Qëllimi i QSAB-së "Aleks Buda" është të nxisë kërkimet rreth dukurive me karakter shqiptar dhe me karakter të ballkanizuar, duke krijuar mundësi debati shkencor midis shkollave kombëtare e  ndërkombëtare, studentëve dhe kërkuesve shkencorë. 

 

Ekspeditë arkeologjike në Bishqem

Në kuadër të projekteve  kërkimore-studimore “Kërkime arkeologjike e gjuhësore në trevën e Bishqemit, Lugina e Shkumbinit dhe Kërkime gjuhësore e arkeologjike në zonën e Funarit, rrethit i Elbasanit” prof. as. dr. Ylli Cerova dhe prof.as.dr. Albert Riska ekipin e projekteve kryen nje ekspedite arkeologjike në Bishqem gjatë periudhes maj-korrik 2017. Gërmimet u përqëndruan në zbulimin e dy kishave, Shën Andrea dhe  Shën Mëria.

Shndreza ose Kisha e Shën Andresë ndodhet në syprinën e një kodre, 515 m mbi nivelin e detit, e cila nga vendasit quhej Shndrezë. Kisha ndodhet  rreth 200 m në perëndim të Shkëmbit të Madh. Monumenti është një kishë njënefëshe e paraprirë nga një oborr katërkëndësh. Përmasat e saj janë gjatësia 18 m  duke  përfshirë edhe oborrin dhe gjerësia është 6 m.  Përgjithësisht muret e kishës  ruhen në lartësinë nga 0,25-1,40 m. Ata  kanë një trashësi prej  70 cm, ndërsa muret e oborrit kanë një trashësi prej 60 cm. Emri i kodrës duket që është i lidhur me emrin e kishës, që nga ana e vet është trajta me prapashtesën zvogëluese e trajtës popullore të emrit të shenjtorit Shndre.  Struktura dekorative dhe mbetjet arkeologjike, megjithëse të pakët dëshmojnë që monumenti kristian, i përket shekujve XI-XIV.

Kisha e Shën Mërisë ndodhet në perëndim të Kodër-Lakut, në fund të një tarrace, 478 m mbi nivelin e detit. Muratura e tarracimit është e ndërtuar me blloqe gurësh të pa lidhura me llaҫ, me përmasa të mëdha dhe ka përgjithësisht lartësinë 2 deri më 3 m. Shën Mëria është një kishë e tipit basilikal. Përmasat e saj janë gjatësia 15,4 m dhe gjerësia 11,8 m. Përgjithësisht muret e kishës  ruhen në lartësinë nga 0,35-1,10 m Naosi përbëhet nga pjesa qëndrore dhe dy nefe anësore. Muret kanë një trashësi prej 70 cm. Vendi ku u zbulua kisha nga vendasit quhet kodër-kishë. Mendohet që kisha e Shën Mërisë është ndërtuar nga fundi i shek. XV.  Sondazhet arkeologjike nxorrën në pah që kjo kishë është shkatërruar ndoshta pa u përfunduar ende. Gjithashtu gërmimi arkeologjik tregon mungesën e elementeve dekorative kristiane dhe të dyshemesë së kishës, gjë që dëshmon se ndërtimi i këtij monumenti kristian nuk kishte përfunduar.

Promovimi i librave të Prof. dr. Emine Sadiku- Teichmann

Departamenti i Gjuhësisë në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe Ballkanologjike më datë 30 janar 2017 organizoi  promovimin e librat e Prof. dr. Emine Sadiku- Teichmann, “Albanisch, - Lehr und Arbeitsbuch” dhe “Midis gramatikes dhe pragmatikes”. Fjalën përshëndetëse e mbajti Prof.as. dr Teuta. Toska, përgjegjëse e Departamentit të Gjuhësisë dhe Prof. as. dr. Ylli Cerova, përgjegjës i QSAB, të cilët vlerësuan punën shkencore të Prof. dr. Emine Sadiku- Teichmann ndër vite. Shprehen mendimet dhe vlerësimet për veprat përkatëse:

Dr. Leonard Dauti - "Albanisch, Lehr- und Arbeitsbuch - fryt i përvojës dhe profesionalizmit";

Dr. Lura Turhani - Mendime mbi "Albanisch, Lehr- und Arbeitsbuch”;

Dr. Aurela Basha – “Qasje teorike-praktike mbi didaktikën e gramatikës në veprën “Midis gramatikës dhe pragmatikës”;

Prof. as. dr. Meleq Shopi - "Tekst me vlera dhe prurje gjuhësore në fushën e pragmalinguistikës";

Msc. Resul Telhaj – "Alternativa në përcaktimin dhe përshkrimin e pjesëve të ligjëratës".

Leksion i hapur i prof. dr. Emine Sadiku-Teichmann

Leksioni i hapur, që z. Emine Sadiku-Teichmann mbajti më 23. 06. 2017, titullohej “Funksioni anamnestik i dëftorëve në gjuhën shqipe”.  Me çështjen e dëftorëve autorja në fjalë është ballafaquar disa herë. Funksioni i sipërpërmendur është analizuar pjesërisht dhe në disertacionin e saj “Vëzhgime mbi leksikun shprehës në prozën e I. Kadaresë” në kapitullin mbi fjalët relative. Në rrjedhën e viteve koncepti i saj mbi dëftorët dhe funksionet e tyre është pasuruar falë literaturës së gjerë të zbuluar dhe falë hulumtimeve në korpuse llojesh të ndryshme. Në leksionin e prezantuar ajo u ndal në një funksion të veçantë të dëftorëve, atë anamnestik, duke paraqitur shfaqjen e tij në gjuhën shqipe. Ky funksion u bashkërendohet atyre të njohura tradicionalisht: funksionit deiktik, forik (anaforik dhe kataforik) dhe determinativ. Në funksionin anamnestik përjashtohet referenca anaforike dhe kataforike. Bëhet fjalë për shprehje të formuara nga një dëftor dhe një emër (ky/ai + emër). Tipari më evident i shprehjeve anamnestike është se ato përdoren vetëm njëherë në një kontekst a situatë. Në këto kushte vështirësohet identifikimi i referentit nga marrësi. Edhe pse shprehje të tilla shoqërohen me njësi shpjeguese, si: fjali lidhore, atribute llojesh të ndryshme, rrokja e referentit nuk rrjedh pa probleme. Krahas trajtimeve teorike leksioni përmbante dhe një komponente empirike, zbulim dhe evidentim të dukurisë në gjuhën e gjallë.    

Leksion i hapur i Prof.Asc.Dr. Kujtim Bevapi mbi historinë dhe tolerancën fetare

Krishterimi dhe Islamizmi, historia dhe toleranca fetare në qytetin e Elbasanit dhe krahinat e tij, ishte titulli i leksionit të hapur mbajtur nga prof. as. dr  Kujtim Bevapi më 02.06.2016. Në viset e banuara  vazhdimisht nga shqiptarët, krishterimi u përhap që në shekullin I  në të njëjtën  kohë kur u përhap edhe në botën e qytetëruar helene dhe latine. Elbasani i njohur me emrin e hershëm te tij Skampis , i ndodhur në provincën e  Epirit te Ri (Epirus Nova) ka pasur krishterim të hershëm. Kjo vërehet në disa koncilë kishtare  të organizuara që nga shekulli IV ku pjesëmarrës  figurojnë edhe emra të peshkopëve të Skampis-it në periudha të ndryshme në varësi nga Dioqeza e Durrësit. Elbasani dhe krahinat në jug të tij, përfshirë qytetin, para pushtimit Osman  ishin ortodoksë, kurse në lindje dhe veriperëndim  të zonave malore ishin katolike. Në Elbasan si zona katolike dallohen Mamli (1300) dhe Mollagjeshi (1400), të cilët ishin kuvende françeskane  observante . 

Me pushtimin e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, Elbasani qe një nga qytetet e Shqipërisë të islamizuara më herët. Por duhet theksuar se midis bashkësive fetare myslimane, ortodokse dhe  katolike në atë periudhe ka pasur tolerancë e bashkëjetese fetare. Ndërmjet mysli-maneve dhe të krishterëve nuk ekzistonte kurrë fare antagonizmi. Harmonia ka vijuar për breza të tërë . Faktori i besimit nuk ka qenë shkas për  ndarje mes tyre.