Programet e Studimit


BACHELOR

“Bachelor” në  Mësuesi për Arsimin Parashkollor

Programi i studimit Bachelor në Mësuesi Arsimi Parashkollor synon tu japë studentëve njohuritë bazë dhe të zbatuara për formimin e tyre si edukatorë të arsimit parashkollor. Ai ofron njohuri teorike për shkencat shoqërore, natyrore dhe artet e aplikuara si dhe formimin e shprehive të veçanta praktike që përfshijnë zbatimin e njohurive dhe aftësive të fituara nga studentët. Gjithashtu programi synon të japë njohuri plotësuese për ato fusha që ndihmojnë dhe japin mundësi zhvillimi të mëtejshëm në drejtime të tjera studimi sipas nevojave dhe prirjeve të studentëve. Programi synon të përgatisë edukatorë me një formim praktik të mirë dhe të besueshëm për tregun e punës, të aftë për të përballuar kërkesat që shtrohen përpara arsimit parashkollor.

“Bachelor” në Mësuesi për Arsimin  Fillor

Programi i studimit Bachelor në Mësuesi Arsimi Fillor synon tu japë studentëve njohuritë bazë dhe të zbatuara për formimin e tyre si mësues të arsimit fillor. Ai ofron njohuri teorike për shkencat shoqërore, natyrore dhe artet e aplikuara si dhe formimin e shprehive të veçanta praktike që përfshijnë zbatimin e njohurive dhe aftësive të fituara nga studentët. Gjithashtu programi synon të japë njohuri plotësuese për ato fusha që ndihmojnë dhe japin mundësi zhvillimi të mëtejshëm në drejtime të tjera studimi sipas nevojave dhe prirjeve të studentëve. Programi synon të përgatisë mësues me një formim praktik të mirë dhe të besueshëm për tregun e punës, të aftë për të përballuar kërkesat që shtrohen përpara arsimit fillor.

“Bachelor” në psikologji

Programi synon të pajisë studentët e kësaj dege me njohuri rreth fushës së psikologjisë – shkencës së sjelljes – duke ofruar një kuptim të gjërë për mënyrën sesi njerëzit perceptojnë botën, mendojnë rreth saj dhe veprojnë. Studentët të cilët ndjekin këtë program, kanë mundësi që të kombinojnë studimin teorik të psikologjisë së njeriut me analizën dhe interpretimin e fakteve të bazuara në vëzhgim dhe praktikim.

Gjithashtu, programi pajis studentët me njohuri nga fusha që ndërlidhen me psikologjinë, si edukimi, shëndeti mental, psikologji komuniteti, etj., duke  i aftësuar më tej ata për tregun e punës dhe duke i mundësuar që të ndjekin cikle më të larta studimi në psikologji dhe degë të thera të përafërta si: psikolog klinik, psikolog në institucione, psikolog edukimi, psikolog social, etj..

“Bachelor” në punonjës social

Programi synon përgatitjen cilësore të studentëve në fushën e sociologjisë, duke ofruar informacion të gjërë për ndërtimin dhe funksionimin e marrëdhënieve në grup, me fokus kryesor, në mënyrën sesi grupe të ndryshme sociale perceptojnë, vlerësojnë dhe nërveprojnë me njëri-tjetrin, duke përfshirë faktorët që kontribuojnë në përshkallëzimin e konfliktit në grup dhe përmirësimit të marrëdhënies mes tyre; në ekzaminimin sesi bota sociale formon identitetin individual dhe sesi individët orientojnë kërkesat dhe sigurojnë mundësi prej ndërvarësive dhe marrëdhënieve të ngushta me të tjerët; në investigimin e origjinës, natyrës dhe pasojave të diferencave seksuale dhe kros-kulturale në sjelljen sociale; në eksplorimin e preferencave dhe zgjedhjeve, veçanërisht kur ato janë të ndikuara nga variable kontekstuale-sociale, motivacioni dhe afeksioni;

Pajisja e studentëve me njohuri shtesë integruese synon për ti bërë ata sa më të përgatitur në ndjekjen e cikleve të mëtejshme të studimit dhe sa më atraktivë në tregun e punës.

 “Bachelor” në Filozofi dhe Sociologji

Programi i Bachelor në Filozofi dhe Sociologji synon t’u japë studentëve  një formim bazë në këto dy fusha, të tillë që t’u mundësojë atyre vijimin me sukses të studimeve të ciklit të dytë në profile profesionale të mësuesisë (si për lëndët e Filozofisë e të Sociologjisë, por edhe në lëndë të afërta me to si, Estetikë apo Histori arti, Qytetari , Këshillim për karrierën, Njohuri mbi ekonominë, etj..), gjithashtu, të mundësojë aplikimin me sukses dhe përballimin pa sforcime të programeve të studimit Master shkencor në sejcilin prej drejtimeve më vete. Ky program krijon kushte edhe për një kalim të mundshëm në programe të tjera të përafërta të studimit, si në ato të nivelit të parë (bachelor) ashtu edhe  në ciklin e dytë (master), duke transferuar një sasi të konsiderueshme kreditesh sidomos në programe të tilla studimi si: shkenca sociale, punonjës social, edukim qytetar, shkenca politike, etj..  Kurset që përmban ky program do të përfshijnë në vetvete, ligjërata, seminare, bashkëbisedime, përgatitje të temave (ese, tema studimore, punime seminarikë), etj., dhe mbështeten nga një fond i literaturës dhe informacione kompjuterikë të parashtruar në një masë të caktuar në sejcilin program lëndor. Programi i Bachelor në Filozofi dhe Sociologji ofron një mundësi të veçantë për përvetësimin e artit të të arsyetuarit, të menduarit teoretik e dialektik, të metodologjisë apo të strategjive të njohjes, aftësimin për studime cilësore dhe sasiore në çdo fushë të kërkimit. Kështu, ky program mëton të jetë edhe një mbështetje e përmbushje e interesave të veçanta të studiuesve të shkencave, si dhe njerëzve të artit, fesë, politikës, etj.,

 “Bachelor” në Edukatë qytetare

Programi Bachelor i studimit në Edukatë Qytetare është një program që synon t’u japë studentëve  një formim bazë në fushën e qytetarisë demokratike, në përbërësit kryesorë të saj, dhe njohjen e thellë të fushave të tilla të jetës sociale si politika, e drejta, ekonomia, morali, feja, arsimi dhe edukimi, etj.. Kështu ai do t’u mundësojë atyre vijimin me sukses të studimeve të ciklit të dytë në profile profesionale të mësuesisë (si për lëndët e Qytetarisë, Edukatës shoqërore, por edhe në lëndë të afërta me to si, Histori,  Gjeografi, Këshillim për karrierën, Njohuri mbi ekonominë, etj..), gjithashtu, do mundësojë aplikimin me sukses dhe përballimin pa sforcime të programeve të studimit Master shkencor në sejcilin prej komponentëve të mësipërm.

Ai krijon kushte edhe për një kalim të mundshëm në programe të tjera të përafërta të studimit, si në ato të nivelit të parë (bachelor) ashtu edhe  në ciklin e dytë (master), duke transferuar një sasi të konsiderueshme kreditesh sidomos në programe të tilla studimi si: shkenca sociale, punonjës social, shkenca politike, etj..  Kurset që përmban ky program do të përfshijnë në vetvete, ligjërata, seminare, bashkëbisedime, përgatitje të temave (ese, tema studimore, punime seminarikë), etj., dhe mbështeten nga një fond i literaturës dhe informacione kompjuterikë të parashtruar në një masë të caktuar në sejcilin program lëndor. Ky kurs studimesh mbështetet në përvojën prej disa dekadash të Departamentit të Historisë dhe Gjeografisë dhe të degës Histori-Gjeografi, në përvojën 15 vjeçare për implementimin e lëndëve të Edukimit Qytetar në kurrikulën shkollore në Universitetin e Elbasanit si dhe në përvojën, dokumentacionin dhe strukturat e ngritura që nga viti 1998 me hapjen e të parës degë të Edukimit Qytetar në nivel universitar në vendin tonë, madje dhe në Ballkan. Studentët që ndjekin studimet në këtë program zhvillojnë aftësi intelektuale per të trajtuar dukuritë sociale dhe ngjarjet historike, faktet e jetës së përditshme, në familje, në komunitet, në shkollë dhe jashtë saj mbi bazën e një aparati konceptual teorik ( historik, filozofik, sociologjik, politik, juridik etj),

 për t’u ngritur mbi të menduarit e rëndomtë, thjeshtëzimet, konkluzionet intuitive dhe empirike.

 për të menduar në mënyrë kritike, krijuese, dhe me përmasat e mendjes së hapur idetë politike, morale, fetare etj.

për të promovuar vlera dhe qëndrime në përputhje me këto vlera, duke përdorur një larmi të formave shkollore dhe të praktikës jashtëshkollore ( aktivitete sociale, nisma, pjesëmarrje sociale, etj).

MASTER PROFESIONAL

“Master Profesional” në Mësuesi

Programi i studimit “Master Profesional” në Mësuesi i jep mundësi kandidatin që të përfitojë kompetencat e nevojshme për të ushtruar me sukses profesionin e mësuesit në lëndë të ndryshme të specialitetit, në një kontekst social-kulturor në ndryshim. Në këtë kuadër, Programi Master Profesional parashikon të mbështesë kandidatin pjesmarrës me qëllim që:

-të zotërojë njohuri të plota të përmbajtjes dhe kurrikulumit lëndor për të siguruar një mësimdhënie të efektshme në fushat përkatëse të specialitetit që ka zgjedhur;

-të aftësohet pedagogjikisht për të menduar dhe arsyetuar përmes dilemave që shtron shoqëria e dijes, për të investiguar në mënyrë shkencore problemet e edukimit, për të analizuar të nxënit e nxënësve, për të reflektuar dhe vlerësuar në mënyrë kritike, dhe për të zhvilluar një kurrikulum të përshtatshëm për një grup divers nxënësish;

-të ndërtojë qëndrime, vlera dhe një vizion koherent për mësimdhënien dhe të nxënit;

-të aftësohet për të komunikuar aktivisht dhe përdorur teknologjinë e informacionit në funksion të mësimdhënies, të nxënit dhe rritjes profesionale;

-të aftësohet për t`u angazhuar në marrëdhënie bashkëpunimi dhe  për të demonstruar interes të vazhdueshëm për rritje profesionale.

Programi Master Profesional i ofruar nga FSHE ka synime ambicjoze për përgatitjen fillestare të mësuesve për lëndë të ndryshme të specialitetit, sepse beson se mësuesit luajnë rol të rëndësishëm jo vetëm në mbështetjen e përvojave të të nxënit të nxënësve në klasë, por ata janë edhe aktorët kryesorë në procesin e modernizimit të sistemit të edukimit dhe në implementimin e reformave të cilat mund të rrisin mirëqënien dhe ta bëjnë vendin ekonomikisht më të mirë. Mësuesit kanë ndikim të fortë në shoqëri dhe luajnë një rol vital në përparimin e potencialit human dhe formimin e gjeneratave të ardhme.

Nisur nga kjo perspektivë, Programi Master është konceptuar si një nivel i ri i cilësisë së përgatitjes fillestare të mësuesve për lëndën/lëndët përkatëse të specialitetit, shoqëruar me një kompetencë shtesë në fushë minore të përafërt. Ai përfshin një program të kompletuar studimesh, me tipare dhe dimensione Europiane, që dallohet për nga përmbajtja e gjërë e dijeve në shkencën e edukimit dhe në didaktika, për nga sasia e konsiderueshme e praktikimit në mësimdhënie, me një fokus të qartë në kërkimin aktiv (sasior dhe cilësor), dhe një qasje interesante në disiplina minore me kompetencë shtesë, të përafërt me specialitetin kryesor dhe të lidhur me nevojat e shkollës shqiptare.

Programi Master Profesional në Mësuesi u siguron pjesmarrësve në të, mundësi mobiliteti midis niveleve të ndryshme të edukimit/arsimimit të mësuesve fillestarë brenda dhe jashte vendit, dhe aplikimit për punësim në profesione të përafërta brenda sektorit të edukimit.

Kandidatët pjesmarrës në Programin Master Profesional në Mësuesi parashikohet që në përfundim, në varësi të specialitetit, të përfitojnë një sistem njohurish dhe aftësish të një niveli profesional të lartë, të bazuar në standartet bashkëkohore për arsimin modern, zotërimi i të cilave do t`i profilizojë ata si:

-ekspertë me njohuri të gjëra në fushat përkatëse të specialitetit lëndor;

-administrues kompetentë, vlerësues dhe hartues të programit dhe kurrikulumit shkollor;

-strategë të mësimdhënies efektive në lëndët e specialitetit;

-njohës dhe studiues të shkencës së edukimit;

-zotërues të metodave të kërkimit ndërdisiplinor që takojnë në të njëjtën kohë si përmbajtjen lëndore ashtu edhe atë pedagogjike;

-zbatues novatorë të metodave të mësimdhënies në lëndët e specialitetit;

-komunikues dhe përdorues bashkëkohorë të gjuhës angleze, burimeve dhe teknologjive informative, në dobi të kërkimit, mësimdhënies, të nxënit dhe rritjes profesionale;

-identifikues të nevojave zhvillimore të fëmijëve dhe potencialeve të tyre të të nxënit;

-planifikues dhe arradues të mjediseve shkollore dhe të të nxënit;

-inkurajues të rritjes personale dhe sigurimit të mirëqënies dhe shëndetit mental të nxënësve;

-mbështetës psikologjik dhe social të fëmijëve;

-partnerë të devotshëm të bashkëpunimit me kolegët, drejtuesit, familjen dhe komunitetin e gjërë;

-modelues të vlerave etike dhe qëndrimeve demokratike, përkrahës dhe mbrojtës aktivë të çështjeve humane, të së drejtës dhe barazisë, paqes dhe lirisë;

-agjentë të ndryshimit, përhapës të kulturës, emancipimit dhe qytetarisë, edukatorë që inkurajojnë pranimin e diversitetit social dhe harmonizimin e bashkjetesës në një komunitet social divers, sikurse Unioni Europian;


Referuar zotërimit të kompetencave kryesore dhe atyre shtesë, kandidatët për mësues në lëndë të ndryshme të specialitetit, me profil minor në disiplina të përafërta, pritet të punojnë si:

omësues të arsimit bazë për lëndën/lëndët përkatëse të specialitetit

odrejtues shkolle

oinspektor arsimi

otrajnues i mësuesve të specialitetit përkatës

oadministrator projektesh në shërbim të komunitetit shkollor, familjes dhe sektorë të tjerë të ndërlidhur me shkencën e edukimit, dhe me kontekstin mjedisor, social, juridik dhe kulturor të arsimit;

oetj.

“Master Profesional” në Punonjës social me fëmijët dhe familjen

Programi i studimit “Master Profesional” në Punonjës social me fëmijët dhe familjen synon që studentët të thellojnë njohuritë e tyre për të kuptuar dhe zbatuar teoritë e metodat e punës sociale me fëmijët dhe familjen, duke u profilizuar në këtë drejtim profesionin e tyre. Përkujdesi për fëmijët dhe familjen bën pjesë në origjinën e lindjes së profesionit të punës sociale. Në përfundim të studimeve, studentët do të jenë të aftë të kuptojnë dhe zbatojnë qëllimet dhe funksionet e punës sociale me fëmijët dhe familjen, bazat legjislative për ndërhyrjën në këtë drejtim përfshirë edhe grupet vulnerabël, politikat bashkëkohore, teoritë e punës sociale dhe evidenca të efektivitetit të tyre në punë me individët, familjet, grupet dhe komunitetet, rolin e punonjësit social në institucionet që ofrojnë shërbime për fëmijët dhe familjen.

Punonjësit socialë në fushën e përkujdesit për fëmijët dhe familjet bëjnë avokaci për programe që promovojnë prindërimin, pavarësinë, kujdesin cilësor për fëmijët, parandalimin e shtatëzanisë te adoleshentët dhe ofrojnë akses në kujdesin shëndetësor dhe strehimin e sigurtë. Në këtë kuadër ata mund të ofrojnë shërbimin e tyre të specializuar si punonjës social, në:

oAdministratë;

oShkollë;

oSistemin e drejtësisë;

oInstitucionet e birësimit;

oOJF të cilat ofrojnë shërbime për fëmijët dhe anëtarët e familjes , viktima të dhunës në familje.

“Master Profesional” në  Psikolog në institucione

Programi synon të përgatisë psikologë qё mund tё punojnё nё institucione publike/jopublike të ndryshme, duke ofruar shërbime të reja për shoqërinë shqiptare që sigurojnë mirëqënien dhe efikasitetin e punës sё individëve në këto institucione. Në mënyrë më specifike, programi siguron formimin profesional të studentëve-psikolog në institucione duke i bërë të aftë ata që:

-Të vёzhgojnë dhe pёrshkruajnë natyrën e punës së  kёtyre institucioneve;

-Të vёzhgojnë dhe pёrshkruajnë kushtet e punёs brёnda institucionit dhe të vlerёsojnë ndikimit e tyre nё produktin pёrfudimtar tё punёs sё punonjёsve brёnda institucionit;

-Të vёzhgojnë dhe të pёrshkruajnë marrёdhёnien e punonjёsve sipas specifikave tё  institucionit dhe të identifikojnë, nёse ka, faktorёt stresues qё interferojnë në këtë marrëdhënie (gjendje stresi personale, konflikte familjare, kushte tё pёrgjithshme mjekёsore, etj);

-Të vёzhgojnë dhe vlerёsojnë cilёsinë e raporteve dhe  bashkёpunimeve me individёt qё  marrin shёrbim nga institucioni;

-Të vlerёsojnë specifikat qё  paraqiten nё  institucion;

-Të sigurojnë informimi, konsulencë, ndërhyrje dhe trajtime të nevojshme psikologjike pёr tё lehtёsuar funksionimin individual dhe institucional;

-Të rekomandojnë / referojnë problemet e ndeshura, nё strukturat mё tё specializuara kur është e domosdoshme;